Përurohet skulptura e Leutrim Ahmetit, i vrarë gjatë luftës nga forcat serbe
Në 25-vjetorin e çlirimit të Skenderajt, është përuruar skulptura e Leutrim Ahmetit, 7-vjeçarit të vrarë gjatë luftës së fundit në Kosovë nga forcat serbe.
Kryetari i Komunës së Skenderajt, Fadil Nura, ka thënë se krahas shtatores së kryekomandantit legjendar, Adem Jashari, sheshi i këtij qyteti do ta mbajë edhe shtatoren e Leutrimit shtatëvjeçar që përfaqëson çdo viktimë të vrarë në luftën e Kosovës.
“Në këtë datë në shënojmë dy momente të rëndësishme: ditën e çlirimit të Skenderajt dhe ditën e përkujtimit të dëshmorëve dhe martirëve të komunës sonë. Pa mbështetjen e shteteve mike, Kosovës vështirë do t’i vinte liria që ka pritur me shekuj. Kjo pjesë e sheshit të qytetit tonë nga sot do të personifikohet nga dy figura që u bënë të njohura me historinë e tyre. Nga Adem Jashari që personifikon trimërinë dhe guximin e trimave të UÇK-së duke dhënë jetën në shërbim të lirisë së popullit shqiptare për liri dhe nga Leutrim Ahmeti që përfaqëson çdo viktimë të vrarë në luftën e Kosovës. Pyetja e vetme që shtrohet më adresën e është se çfarë faji pati Leotrimi. Ai si 7-vjeçar në qendër të Skenderajt do të na ligjëroj mbi konventën e OKB-së për të drejtat e fëmijëve”, ka thënë ai, shkruan Ekonomia Online.