
Përurohet në Malishevë, lapidari për mësuesin martir
Në kuadër të shënimeve të aktiviteteve të shumta të manifestimit “Epopeja e UÇK-së” dhe 7 Marsit, Ditës së Mësuesit, sot në Tërpezë të Poshtme të Malishevës, u përurua lapidari i ngritur në nderim të mësuesit martir, Jashar Krasniqi, i cili u vra më 28 korrik të vitit 1998.
Lapidari u ngrit pikërisht në vendin ku u vra Krasniqi, transmeton Klankosova.tv.
Në këtë aktivitet, krahas familjes së gjerë Krasniqi, morën pjesë kryetari i Malishevës, Ekrem Kastrati, deputetë, veteranë luftëtarë, veteranë të arsimit, familje të dëshmorëve, aktivistë të shumtë të atyre viteve, mësues e nxënës, qytetarë e personalitete të ndryshme të jetës shoqërore e politike.