Përurohet libri për masakrën e Poklekut në Drenas

Përurohet libri për masakrën e Poklekut në Drenas

Në vendin ku ka ndodhur masakra e 53 anëtarëve të familjes Muqolli, Elshani, Caraku dhe Hoxha, në Poklek të Vjetër të Drenasit është përuruar libri monografik “Shtëpia me gjak në mure” nga autori Afrim Hysenaj, ka njoftuar MKRS-ja në faqen zyrtare në Facebook.

“Në rreth 500 faqe të këtij libri janë përmbledhur përjetimet e të mbijetuarve të kësaj masakre, të dëshmitarëve dhe kujtimet nga familjarët”, thuhet në njoftim.

Në këtë ngjarje ishte i pranishëm kryeministri Albin Kurti, i cili tha se vepra që na ka mbledhur sot është kujtim për të vrarët e përkujtim për të gjallët mbi rëndësinë e kujtesës historike dhe domosdoshmërinë e drejtësisë, duke theksuar se Serbia u përpoq t’i zhdukte gjurmët e krimit gjenocidal duke djegur trupat e të vrarëve. Edhe ky libër, sipas kryeministrit, përshkohet nga kërkesa e familjareve për drejtësi.

Fjalë mbajti edhe autori i librit, Afrim Hysenaj, ndërkaq Elhame Muqolli, e mbijetuara e kësaj masakre, rikujtoi tmerrin që kishte përjetuar më 17 prill të vitit 1999 nga forcat serbe, po ashtu edhe Medi Muqolli solli një rrëfim për këtë masakër.

Ndërsa Alma Ramaj para të pranishmëve interpretoi një rrëfim të shkurtër të Ramadan Muqollit të shkëputur nga libri.

Në fund të këtij promovomi, Shaqir Cervadiku dhe Mahmut Ferati interpretuan këngën kushtuar masakrës së Poklekut të Vjetër.

Në këtë ngjarje ishin të pranishëm edhe nënkryetarja e Kuvendit të Kosovës, Saranda Bogujevci, ministri Hajrulla Çeku, kryetari i Drenasit, Ramiz Lladrovci, deputetë, redaktori i librit Berat Dakaj, familjarë të familjeve Muqolli, Elshani, Caraku dhe Hoxha, të mbijetuar të kësaj masakre, ish-të burgosur politikë e qytetarë të shumtë.

Libri monografik “Shtëpia me gjak në mure” është përkrahur nga Ministria e Kulturës.