Përurohen sportelet digjitale në Klinikën e Kirurgjisë në QKUK

Përurohen sportelet digjitale në Klinikën e Kirurgjisë në QKUK

Pas përfundimit dhe inaugurimit të sporteleve në Radiologji dhe në Biokimi në pjesën e parë të muajit dhjetor, sot kryeministri Albin Kurti, ishte i pranishëm në përurimin e sporteleve të digjitalizuara dhe punimeve të tjera në Klinikën e Kirurgjisë.

Këtu u përfshi digjitalizimi i sporteleve në Kirurgjinë Plastike, në Kirurgjinë Torakale dhe Urologji, në Kirurgjinë Abdominale, në Kirurgjinë Vaskulare dhe Neurokirurgji.

“Një renovim i një hapësire prej mbi 1000 metra katrorë me rreth 400 mijë euro gjithsej. Tash është bërë lehtësimi i qasjes edhe i orientimit për të gjithë pacientët. Sportelet janë të digjitalizuara dhe në të njëjtën kohë kemi krijuar për herë të parë infrastrukturë moderne me standarde ndërkombëtare për pacientët me aftësi të kufizuar”, tha kryeministri Kurti.

Përveç rregullimit të sporteleve, në Klinikën e Kirurgjisë është realizuar edhe rregullimi i mureve, pllafoneve dhe dyerve, instalimi i parmakëve dhe i ndriçimit të shkallëve, si dhe rregullimi i të gjitha dyerve me dalje në korridor dhe në pritore.

Kryeministri u shpreh se prioriteti i Qeverisë ka qenë gjithmonë të fusha e shëndetësisë, për përmirësimin e kushteve dhe kujdesit shëndetësor, por gjithashtu edhe të kushteve të dinjitetshme të punës për punëtorët shëndetësorë, meqenëse shërimi i pacientit varet edhe nga mirëqenia e doktorit e infermierit.

Ndërkaq, ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, tha se do të vazhdojmë edhe me investime të tjera në klinikat kirurgjike në mënyrë që pacientët të marrin shërbime sa më të mira, të ketë sa më pak infeksione intrahospitalore dhe në anën tjetër mjekët dhe infermierët të kenë kushtet sa më të mira për punë.