Përjashtimi i katër komunave në veri nga rritja e çmimit të energjisë, cenim i barazisë dhe i sovraniteti të Kosovës

Përjashtimi i katër komunave në veri nga rritja e çmimit të energjisë, cenim i barazisë dhe i sovraniteti të Kosovës

Aleanca Kosovare e Bizneseve (AKB) shpreh shqetësimin e thellë lidhur me vendimin e Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRRE) dhe të Qeverisë së Kosovës për rritjen e çmimit të energjisë elektrike për 16%, duke përjashtuar nga ky vendim katër komunat në veri të Kosovës të banuara kryesisht me qytetarë serbë.

“Ky veprim përbën një shkelje të rëndë të parimeve të barazisë dhe trajtimit të barabartë të qytetarëve dhe konsumatorëve në Republikën e Kosovës. Me këtë vendim, jo vetëm që cenohet e drejta e konsumatorit shqiptar, por krijohet edhe një ndarje etnike dhe diskriminuese e papranueshme”.

“AKB vlerëson se një praktikë e tillë minon sovranitetin energjetik të Republikës së Kosovës në pjesën veriore të vendit dhe dëmton parimin e barazisë para ligjit. Kjo qasje jo vetëm që cenon drejtësinë dhe interesin e bizneseve dhe qytetarëve të tjerë të vendit, por njëkohësisht dobëson besimin në institucionet shtetërore ne Veriu e Kosovës”.

“Ne kërkojmë që ZRRE dhe Qeveria e Kosovës të trajtojnë të gjithë qytetarët dhe bizneset në mënyrë të barabartë, pa diskriminim etnik. Të rikthehet urgjentisht sovraniteti energjetik në të gjithë territorin e Republikës së Kosovës. Të respektohen dhe mbrohen të drejtat e konsumatorëve në mënyrë të paanshme dhe transparente”, thuhet në reagimin e AKB-së.

“Aleanca Kosovare e Bizneseve mbetet e përkushtuar në mbrojtjen e interesave të biznesit dhe konsumatorëve në Kosovë dhe do të përdorë të gjitha mekanizmat ligjorë dhe institucionalë për të kundërshtuar këtë padrejtësi”, tha në fund Agim Shahini kryetar i AKB-së.