Përgjimet me Radoiçiqin përplasin pushtetin dhe opozitën në Kuvend
Përgjimi i radhës që u publikua dje nga portali “Paparaci” për shefen e grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila, me Milan Radoiçiq, që atëherë ishte nënkryetar i Listës Serbe u bë debat sot në seancën e Kuvendit mes pushtetit dhe opozitës.
Audioincizimet që janë publikuar të mërkurën nga portali “Paparaci” mes Kusarit dhe Radoiçiqit kanë të bëjmë me kalimin e Projektligjit për Pagën Minimale dhe për votimin e një kandidati për gjyqtar në Gjykatën Kushtetuese në qershor të 2022-s.
E opozita në seancën e sotme e ka quajtur tmerr të demokracisë bisedën e Kusarit me Radoiçiqin.
“Ajo çka pamë dje është në vazhdën e logjikës të cilën LV-ja e ka ndërtuar si logjikë të përbaltjes, duke qenë vetë e zhytur deri në fyt me kriminel si Milan Radoiçiq. Ky është tmerri i demokracisë në Kosovë. Ky është tmerri i përfaqësimit në Kosovë. Çka përfaqësojnë këta deputetë kur kryetarja e grupit të tyre parlamentar del akuzon? Para, prapa, anash, djathtas e majtas, pështynë në tana anët, dhe këta entuziazmohen”, ka thënë në Kuvend shefi i grupit parlamentar të LDK-së, Arben Gashi.
Shefi i grupit parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri, ka thënë se deputetët e kësaj partie nuk do të votojë asgjë në Kuvend për sa kohë Mimoza Kusari-Lila vazhdon të jetë në pozitën e shefes së grupit të parlamentar të Vetëvendosjes.
“Ky kuvend, qytetarët meritojnë ta dinë për çfarë kushtesh është negociuar me terroristin Milan Radojçiq. Cili ka qenë pazari i këtij negocimi? Aty nuk flitet për ligje që kanë të bëjnë me komunitete, nuk flitet për çështje që trajtohen në kuvend në raport me 2/3. Aty diskutohet për një ligj që prek secilin njeri për pagën minimale, dhe veteranët e UÇK-së. Ne duhet ta dimë se ky koordinim a është një thikë pas shpine ndaj demokracisë së Kosovës”, ka thënë shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri.
Shefja e deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila, ka theksuar se është për keqardhje është të dëgjosh në Kuvendin e Kosovës jo vetëm shpifje, fabrikim, por edhe nxitje e cytje për urrejtje e linçim.
Opozita e ka lëshuar seancën e Kuvendit të Kosovës pasi nuk është përkrahur kërkesa për të debatuar lidhur me bisedat e shefes së grupit parlamentar të Vetëvendosjes, Mimoza Kusari-Lila me kriminelin serb, Millan Radojçiq.
Rrjedhimit, pushtetit i është pamundësuar mbajtja e seancës për shkak të mungesës së kuorumit.