
Përfundon tërheqja e pakove me fletëvotime nga kutitë postare jashtë Kosovës
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve njofton se, sipas planifikimeve, më 5 janar 2026 është përmbyllur procesi i tërheqjes së pakove me fletëvotime që i takojnë votimit me postë jashtë Kosovës.
Fillimisht, më 23 dhe 29 dhjetor 2025, nga dy kutitë postare të KQZ-së në Berlin dhe Bernë, janë tërhequr 28,555 pako me fletëvotime.
Pas vlerësimit, 27,600 janë aprovuar, ndërsa 955 janë refuzuar, kryesisht për mungesë të dëftesës së regjistrimit të votuesit.
Numërimi ka filluar të shtunën (3 janar 2026, ora 16:00) dhe pritet të përfundojë sot (5 janar 2026).
Procesi ka vazhduar më 2 janar, kur nga kutitë postare në Pragë, Londër, Paris, Zagreb, Stokholm, Stamboll, New York, Kanbera dhe Kopenhagë janë tërhequr edhe 8,180 pako të tjera, të cilat sot janë sjellë në Kosovë.
Tërheqja e pakove është përmbyllur më 5 janar 2026. Nga 13 kuti postare në:
Tiranë, Berlin, Vjenë, Bernë, Bruksel, Hagë, Podgoricë, Oslo, Shkup, Otavë, Ljublanë, Romë dhe Prishtinë, janë tërhequr gjithsej 11,867 pako me fletëvotime.
Në total, rreth 58,000 shtetas të Kosovës ishin regjistruar për të votuar me postë në zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Republikës së Kosovës, të mbajtura më 28 dhjetor 2025.
Numërimi i pakove të tërhequra më 2 dhe 5 janar 2026 do t’i nënshtrohet fillimisht vlerësimit/verifikimit, ndërsa ato që aprovohen do të numërohen në QNR.
