Përfundon samiti BE-Ballkani Perëndimor, të gjitha vendet e pranojnë deklaratën

Përfundon samiti BE-Ballkani Perëndimor, të gjitha vendet e pranojnë deklaratën

Të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor janë pajtuar me deklaratën e samitit BE-Ballkani Perëndimor, i cili u mbajt të mërkurën në Bruksel.

Kështu thuhet në deklaratën e miratuar nga 27 kryetarë shtetesh dhe qeverish të Bashkimit Evropian.

Deklarata, mes tjerash, u bën thirrje të gjitha vendeve të Ballkanit Perëndimor të vendosin sanksione ndaj Rusisë dhe të punojnë për të parandaluar shmangien e masave kufizuese që Brukseli vendosi kundër Moskës si përgjigje ndaj agresionit të saj kundër Ukrainës.

Nga vendet e Ballkanit Perëndimor, vetëm Serbia nuk i ka vënë sanksione Rusisë, pas nisjes së luftës në Ukrainë.

Presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel, tha pas samitit se porosia kryesore e samitit ishte nevoja për integrim gradual të këtyre vendeve në bllok, si dhe forcimi i bashkëpunimit mes tyre në rajon.

“A duhet t’i integrojmë sa më afër para se të hynë në BE në mënyrë graduale. Kjo është pika e parë. E dyta është rritja ekonomike. Shumë pjesëmarrës folën për bashkëpunimin në fushën e energjisë. U desh të përballemi me shantazhet e Rusisë në furnizim me energji. Kjo pati ndikim edhe në Ballkan“, tha Michell.

Ai theksoi se u bisedua edhe për përshtatje të politikave të jashtme dhe të sigurisë së BE-së.

”Po ashtu, [u bisedua] edhe për bashkëpunimin në fushën e migrimit. Kjo vlen edhe për sistemin e vizave“ tha ai.

Michel përsëriti thirrjen për zgjidhjen e konflikteve dhe mospajtimeve si kusht kyç për integrim në BE.

“Duam ta përshpejtojmë punën tonë që të dyja palët të kenë një udhërrëfyes se çfarë duhet të bëjmë për të qenë të gatshëm për këtë zgjerim“, shtoi ai.

Deklarata përfundimtare e samitit u bëri thirrje të gjitha vendeve të Ballkanit Perëndimor të vendosin sanksione ndaj Rusisë dhe të punojnë për të parandaluar anashkalimin e masave kufizuese që Brukseli vendosi kundër Moskës në përgjigje të agresionit kundër Ukrainës.

“Vizioni i përbashkët i së ardhmes përfshin vlerat e përbashkëta dhe përgjegjësinë e përbashkët. Ndërsa thellojmë bashkëpunimin tonë me partnerët, ne u bëjmë thirrje atyre të bëjnë përparim të shpejtë dhe të qëndrueshëm drejt përafrimit të plotë me politikën e përbashkët të jashtme dhe të sigurisë të BE-së, duke përfshirë masat kufizuese të BE-së, dhe të veprojmë në përputhje me rrethanat”, thuhet deklaratën.

 

TAGS