Përfundimi i votimit në Himarë, KQZ: Procesi zgjedhor ishte i qetë

Përfundimi i votimit në Himarë, KQZ: Procesi zgjedhor ishte i qetë

Pasi është mbyllur koha zyrtare e votimit, Komisioni Qendror Zgjedhor ka reaguar zyrtarisht.

KQZ shprehet se procesi zgjedhur ka qenë i qetë ndërkohë që zgjedhësit janë identifikuar elektronikisht dhe sistemi PEI ka rezultuar i suksesshëm.

Më tej në njoftim thuhet se komisionet e qendrave të votimit po përgatiten të dorëzojnë kutitë dhe materialet zgjedhore në KZAZ-në nr. 88, për t’i hapur rrugë procesit të numërimit të votave.

Njoftimi i plotë 

Në orën 19:00 përfundoi orari i votimit për zgjedhjet e pjesshme për Kryetarin e Bashkisë Himarë. Qendrat e votimit janë mbyllur në të gjithë territorin e bashkisë.

Procesi i votimit në 36 QV ka vijuar i qetë ndërkohë që zgjedhësit janë identifikuar elektronikisht dhe sistemi PEI ka rezultuar krejt i suksesshëm. KQZ e ndoqi në dinamikë ecurinë e procesit, duke ndërhyrë në rastet kur u kërkua asistencë nga ana e Komisionerëve të Qendrave të Votimit.

Nga informacionet paraprake dhe të dhënat e raportuara, nga pjesëmarrja në zgjedhje rezulton 36.9%. Komisionet e QV po përgatiten për të dorëzuar kutitë e votimit dhe materialet zgjedhore në KZAZ-në nr. 88, për t’i hapur rrugë procesit të numërimit të votave. Procesi i numërimit të votave do të fillojë kur të mbërrijë në KZAZ edhe kutia e fundit e votimit nga QV me largët.