“Për Shqipërinë 2030 në BE”, PS çel fushatën elektorale nga sheshi “Skënderbej”

“Për Shqipërinë 2030 në BE”, PS çel fushatën elektorale nga sheshi “Skënderbej”

Partia Socialiste në Shqipëri hapi sot zyrtarisht fushatën elektorale për zgjedhjet e përgjithshme të 11 majit, në sheshin “Skënderbej” në Tiranë, nën sloganin “Shqipëria 2030 në BE”.

Me një skenë ku në qendër ishin 12 yje që simbolizojnë 12 yjet e flamurit të BE-së, eventi elektoral nisi me prezantimin e kandidatëve për deputetë në 12 qarqe, shoqëruar me performancën me këngë e valle tradicionale.

Kryeministri Edi Rama, njëherësh kryetar i Partisë Socialiste, u shpreh sot se “kemi shansin historik që të hedhim hapin përfundimtar drejt bashkimit me Evropën”.

Në fjalën e mbajtur në çelje të fushatës zgjedhore për zgjedhjet e 11 majit, Rama tha se “për përfaqësuesit e popullit socialist dhe progresist të Shqipërisë nis e përpjeta e fundit drejt Evropës dhe fundi i historisë sonë jashtë saj”.

Kryeministri shqiptar theksoi se “përpara nesh është vetëm një datë, 11 maji, e afërt sa 30 mëngjese dhe pas saj është vetëm 1 mandat, i gjatë sa 4 vjet, për ta fituar bastin historik me Evropën për Shqipërinë dhe me Shqipërinë për Evropën”.