Peci: Gjatë qeverisjes Kurti, fermerët gëzuan një shifër të përkrahjes rekord
Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Faton Peci, ka vizituar një fermer në Pestovë të Vushtrrisë.
Në një postim në Facebook, ai ka theksuar se gjatë qeverisjes Kurti, fermerët në Vushtrri gëzuan një shifër të përkrahjes rekord përmes granteve dhe subvencioneve.
“Mikpritja e ngrohtë e fermerëve ka qenë frymëzim i imi që të jem me ta çdo fundjavë. Familja Ademi nga tash e tutje 30ha tokë i punon me mekanizmin e ri bujqësor, si përfitues të grantit në vlerë prej 90,000 eurove”.
“Nga 30ha tokë të punueshme, në 25ha kultivojnë pataten duke i kontribuuar zinxhirit ekonomik e duke e theksuar edhe më shumë pataten si një kulturë tashmë identitare për rajonin e Vushtrrisë”.
“Nëse gjatë qeverisjeve tjera familjes Ademi iu kërkoheshin kritere të pashkruara për të qenë përfitues, gjatë qeverisjes sonë ka mbizotëruar dinjiteti i fermerit e meritokracia në vlerësim. E kush është skeptik për këtë që po e them, le të bisedojnë me anëtarët e kësaj familje pasi që kanë çka tregojnë”, ka thënë Peci.