
PE: Kosova të bëjë reforma për t’iu afruar BE-së
Deputetët e Parlamentit Evropian kanë miratuar një raport për Kosovën që inkurajon shtetin të bëjë reforma për të lëvizur drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian, por po ashtu kërkon që Prishtina dhe Beogradi të hapin një kapitull të ri në bisedimet për normalizim, raporton _Radio Evropa e Lirë’.
“Është e qartë që procesi integrues i Kosovës ka nevojë për një momentum të ri – na duhet një kapitull i ri i bisedimeve mes Prishtinës dhe Beogradit. Është jashtëzakonisht pozitive që të gjitha partitë e mëdha politike në Kosovë mbështesin fuqishëm integrimin në BE. E ardhmja e Kosovës është në familjen evropiane dhe ne do të punojmë së bashku në agjendën e reformave sepse çdo anëtarësim në të ardhmen duhet të bazohet në meritë”, tha raportuesi për Kosovën në PE, Riho Terras.
Sipas eurodeputetëve, dialogu për normalizimin e raporteve mes Kosovës dhe Serbisë, “fatkeqësisht nuk ka prodhuar rezultatet e pritura”, teksa ata u kërkuan të dyja palëve që të zbatojnë marrëveshjet e Brukselit dhe Ohrit, përfshirë themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe dhe që Serbia të mos kundërshtojë anëtarësimin e Kosovës në organizata rajonale dhe ndërkombëtare.
Për shkak të krizave në veriun e Kosovës, që rritën tensionet mes dy vendeve, që nga shtatori i vitit 2023 në Bruksel nuk është zhvilluar asnjë rund i dialogut politik, por ka pasur vetëm bisedime në nivel të kryenegociatorëve.
BE-ja ka përsëritur vazhdimisht se normalizimi i raporteve mes Kosovës dhe Serbisë është parakusht për rrugën e të dyja vendeve drejt integrimit evropian.
Shkrimi në këtë link:
https://www.evropaelire.org/a/parlamenti-evropian-raport-kosova-/33407391.html