Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Bedri Hamza, ka bërë të ditur të hënën se grupi parlamentar i kësaj partie ka proceduar në Kuvendin e Kosovës projektligjin për plotësimin dhe ndryshimin e ligjit për Gjykatën Speciale të Kosovës në Hagë.
Hamza, i shoqëruar nga deputetë të PDK-së, tha në një konferencë për media në objektin e Kuvendit se nisma vjen pas protestave të ditëve të fundit kundër aktgjykimit ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).
Hamza tha se reagimi i qytetarëve nuk mund të injorohet dhe se Kuvendi nuk mund të sillet “sikur kjo çështje nuk e prek Republikën e Kosovës”.
Ai sqaroi se nisma nuk synon mbylljen e Gjykatës Speciale apo pengimin e hetimit të rasteve për të cilat ato janë krijuar, përfshirë pretendimet për trafikim organesh, por ndryshimin e ligjit për të përcaktuar më qartë kufijtë e mandatit dhe kompetencave të tyre.
“Projektligji përcakton se, kur një rast nuk hyn në këtë juridiksion, ai transferohet në Kosovë, së bashku me dosjen, provat dhe materialin e tij. Pra, drejtësia vazhdon, por vazhdon aty ku duhet të vazhdojë”, tha ai.
Thirrja e PDK-së vjen në ditën e gjashtë të protestave në Prishtinë kundër aktgjykimit të shkallës së parë të Dhomave të Specializuara të Kosovës ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).

