Pavarësisht rebelimit të Wagner-it, Rusia ende nderon mercenarët e vrarë në Ukrainë

Pavarësisht rebelimit të Wagner-it, Rusia ende nderon mercenarët e vrarë në Ukrainë

Zyra e kryetarit të qytetit jugor rus, Volgograd, njoftoi më 17 janar se pjesa e një rruge të këtij qyteti do të emërohej për nder të Aleksei Naginit, ish i dënuar i cili i ishte bashkuar grupit famëkeq të mercenarëve, Wagner. Ai ishte vrarë afër qytetit Bahmut, në rajonin ukrainas të Donjeckut në shtator të vitit 2022.

Pavarësisht rebelimit që Wagner-i kreu në qershor të vitit 2023 kundër udhëheqjes së lartë ushtarake të Rusisë dhe vdekjes së mistershme të kreut të këtij grupi, Yevgeny Prigozhin, komunat në mbarë Rusinë po vazhdojnë të emërojnë hapësira publike për nder të mercenarëve të vrarë në Ukrainë.

Prigozhin u vra dy muaj pas udhëheqjes së rebelimit, pas rrëzimit të avionit me të cilin ai po udhëtonte.

Megjithatë, duket se autoritetet po zgjedhin heronjtë e tyre në mënyrë më selektive sesa në të kaluarën dhe gjithnjë e më shumë po harrojnë lidhjet e tyre me Wagner-in. Qëllimi, sipas analistëve, është që të rritet motivimi ideologjik për të rekrutuar më shumë vullnetarë dhe që mercenarët aktualë të sigurohen se ata nuk do të harrohen.

“Madhërimi i mercenarëve, qoftë nga Wagner-i apo grupe të tjera, veçmas po mbështetet nga autoritetet dhe propaganda [pro Kremlinit]”, tha analisti politik, Ivan Preobrazhensky. “Kjo ndodh sepse Ushtria ruse në esencë është shndërruar në një formacion mercenar, qoftë përmes kontratave [me Ministrinë e Mbrojtjes] apo formacioneve të ndryshme ‘vullnetare’. Në esencë, ata janë mercenarë”.

Disa muaj pasi nisi pushtimi rus i Ukrainës në shkurt të vitit 2022, Wagner-i nisi të rekrutonte për luftë të dënuarit nga burgjet ruse, duke u premtuar falje të dënimeve nëse ata do të shërbenin për gjashtë muaj. Si përfundim, dhjetëra mijëra të burgosur, shumë nga ta që ishin të dënuar me dënime të gjata për shkak të krimeve të tmerrshme, u rekrutuan. Nga ta, mijëra u vranë dhe mijëra të tjerë u kthyen mbrapsht në Rusi si burra të lirë.

Në shumë qytete ruse ka pasur zemërim për shkak të nderimeve zyrtare që u janë bërë të vrarëve, të cilët banorët lokalë i kujtojnë me frikë si huliganë, ngatërrestarë dhe kriminelë. Edhe kthimi i të dënuarve, që u falën pas shërbimit të shkurtër në Ukrainë, në shumë raste është përcjell me tensione shoqërore.

Nagin, për dallim nga të tjerët, kishte një të kaluar më pak të trazuar dhe kishte më shumë kredenciale ushtarake. Më 2014, ai u dënua me shtatë vjet me kusht pasi kishte vjedhur një veturë dhe kishte detyruar pronarin e veturës që të nënshkruante dokumentet e shitjes së makinës nën kërcënim të dhunës. Sipas të dhënave të gjykatës, gjykatësi u tregua i butë në vendimin e tij sepse Nagin veçse kishte shërbyer në detyra ushtarake në Çeçeni, Gjeorgji, Siri dhe Libi dhe ishte nderuar me pesë medalje ushtarake.

Në Ukrainë, ai kishte qenë komandant i një njësie të Wagner-it. Para pushtimit në shkallë të plotë, Nagin kishte shërbyer në konfliktet separatiste, të nxitura nga Moska, në pjesët në lindje të Ukrainës, duke trajnuar luftëtarët e atyre zonave në një bazë në rajonin ukrainas, të Krimesë, që Rusia ka pushtuar.

Ai ishte plagosur rëndë në maj të vitit 2022, por ishte rikthyer në front para se të rikuperohej. Ai raportohet se u vra më 21 shtator 2022, në moshën 41-vjeçare. Atij iu nda urdhri Hero i Rusisë, si dhe nderimi më i lartë ushtarak i administratave të instaluara nga Rusia në pjesët e pushtuara të rajoneve ukrainase të Luhanskut dhe Donjeckut, si dhe ylli i platinit i Grupit Wagner.