
Pas Kuvendit të LDK-së, Veliu: Humbja nuk kalohet duke u kapur pas strukturave
Ish-deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Agim Veliu, ka reaguar pas mbajtjes së Kuvendit të kësaj partie, duke theksuar se anëtarësia është themeli dhe autoriteti më i lartë i LDK-së.
Përmes një reagimi publik në Facebook, Veliu ka deklaruar se asnjë kryetar, asnjë kryesi, Këshilli i Përgjithshëm apo Kuvendi i partisë nuk mund të jetë mbi vullnetin e anëtarëve të LDK-së.
Postimi i Veliut:
Anëtarësia është themeli i Lidhjes Demokratike të Kosovës.
Asnjë kryetar, asnjë kryesi, as Këshilli i Përgjithshëm dhe as Kuvendi nuk është mbi vullnetin e anëtarëve të LDK-së.
Pas humbjes së thellë të zgjedhjeve nuk shpëtohet duke u kapur pas strukturave të kontrolluara, por duke dëgjuar zërin e bazës.
LDK nuk është pronë personale, as e një rrethi të ngushtë. Ajo u përket anëtarëve që e kanë ndërtuar, e kanë mbajtur dhe vazhdojnë ta mbajnë.
Historia e ka treguar se ata që i presin rrënjët, çajnë themelin, e ngatërrojnë rrugën dhe e shndërrojnë shtëpinë e përbashkët në strehë personale, nuk mbahen mend si kryetarë, por si i fundit që del prej saj.
Zoti e ruajt LDK-në!
