
Pas fitores në Murcia, presidenti i FFK-së: Krenar me Ty Kosovë!
Kombëtarja e Kosovës ka shënuar sonte histori, duke e fituar edhe duelin e kthimit ndaj Islandës, për ta siguruar plasmanin në Ligën B të UEFA Nations League.
2-1 fituan “Dardanët” në Prishtinë, kurse në Murcia triumfuan 1-3.
Presidenti i FFK-së, Agim Ademi, ka shkruar në Facebook se Kosova shkruan një faqe të re në histori – nga Liga C ngjitemi në Ligën B të Ligës së Kombeve.
“Me zemër, pasion dhe luftë deri në fund, djemtë dardanë siguruan suksesin më të madh deri më tani. Pas fitores 2:1 në ‘Fadil Vokrri’, me një paraqitjeje të shkëlqyer në ndeshjen e kthimit në Murcia kundër Islandës, Dardanët konfirmuan promovimin në Ligën B të Ligës së Kombeve, duke triumfuar bindshëm 3:1, me tre golat e Vedat Muriqit”, ka shkruar Ademi.
Ai ka theksuar se kjo pa dyshim është një arritje që na bën të gjithëve krenarë, por edhe një moment i madh për futbollin tonë dhe dëshmi e punës së palodhshme të ekipit dhe stafit, por edhe e mbështetjes së jashtëzakonshme të tifozëve dardanë kudo ku jemi paraqitur.
“Ky sukses na jep besim dhe motivim edhe më të madh për të ardhmen. Urime futbollistëve, stafit, tifozëve dhe të gjithë popullit tonë ky sukses! Krenar me Ty Kosovë!”, ka shkruar presidenti i FFK-së, Agim Ademi.