Pas fitores bindëse, Kosova pëson humbje në miqësoren e dytë nga Estonia
Kombëtarja e Kosovës në konkurrencën e femrave ka pësuar humbje nga Estonia, me rezultat 1:2, në miqësoren e dytë, e cila u zhillua në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë.
Një menaxhim jo i mirë i lojës nga Dardanet në repartin e mbrojtjes, bëri që të pësohet gol në minutën e 23-të, kur Vlada Kubassova i zhbllokoi shifrat e kësaj ndeshjeje.
Në minutën e 30-të mysafirët aplikuan një zëvendësim, i cili ishte i duhuri për Estoninë. Përforcimi me Kristina Teern thelloi epërsinë e mysafireve, pasiqë ajo në minutën e 35-të shënoi për 0:2.
Fraksionin e dytë Kosova e nisi me zëvendësime, ashtu sikurse edhe Estonia. Dëshira për të rikthyer rezultatin nuk mjaftoi, ndërsa tentimet drejt portës kundërshtare nuk ishin të sakta.
Modesta Uka dështoi nga pika e bardhë në minutën e 84-t, por e saktë më pas u tregua Donjeta Halilaj, e cila konvertoi në gol penalltinë e akorduar në minutat shtesë.
Megjithatë, ky gol vleu vetëm për statistika, pasi koha e mbetur nuk u mjaftoi Dardaneve për të organizuar ndonjë aksion tjetër dhe për të shënuar golin e barazimit.
Kësisoj, me një fitore të thellë dhe një humbje të ngushtë me Estoninë, Kosova e përmbylli këtë grumbullim. Ndeshjet e radhës Kosova i zhvillon në muajin shkurt në kuadër të Ligës së Kombeve në Ligën C, e ku për kundërshtarë në grup ka Maqedoninë e Veriut dhe Letoninë.