Paralajmëron Libani: Lufta mund të prekë edhe Evropën
Të paktën 27 persona janë vrarë në 24 orët e fundit në Rripin e Gazës si pasojë e një serie sulmesh izraelite.
Mediat prestigjioze ndërkombëtare bëjnë me dije se reagimi i ashpër i Izraelit vjen si hakmarrje për sulmin me dron që goditi së fundmi Tel-Avivin.
Forcat e Mbrojtjes të Izraelit kanë deklaruar në rrjetin social X se goditja bëhet me qëllim eliminimin e plotë të strukturave të Hamasit.
“Ekipi luftarak i Brigadës Alexandroni vazhdon të luftojë në qendër të Rripit të Gazës dhe sulmon infrastrukturën terroriste në zonë. Në bashkëpunim me avionët e Forcave Ajrore, forcat e njësisë eliminuan disa terroristë që ndodheshin në një godinë që përbënte kërcënim”, theksoi në njoftimin e saj ushtria izraelite.
Sakaq retorika kërcënuese është rritur në kufirin verior të Izraelit me Libanin, aty ku vepron fuqishëm organizata militante e mbështetur nga Irani, Hezbollah.
Presidenti i Parlamentit libanez ka bërë një paralajmërim të frikshëm për tërë Europën nëse situata përshkallëzohet.
“Situata në zonë është shumë e rrezikshme. Dhe jo vetëm për Lindjen e Mesme, edhe në Evropë ka luftë në Ukrainë dhe një zgjerim i konfliktit në të gjithë rajonin do të kishte pasoja serioze edhe në Evropë dhe në botë.
Nëse Izraeli përpiqet të hyjë në Liban, nuk do të lokalizohet vetëm në rajon. Republika Islamike e Iranit ka deklaruar hapur se në këtë rast do të ketë një luftë ndërrajonale”, tha Nabih Berri, Presidenti i parlamentit libanez.
Por forcat izraelite nuk janë ndalur nga paralajmërimet e Libanit. Ato kanë goditur përmes sulmeve ajrore ndërtesat ushtarake të lëvizjes shiite pro-iraniane Hezbollah në zonën Hula, në Libanin jugor.