
Paralajmërimi i ZRrE-së për shtrenjtim prej 15% nga 1 prilli është një goditje për qytetarët
Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës Ramush Haradinaj, e ka akuzuar kryeministrin aktual Albin Kurti, se me vendime të papërgjegjshme e ka shkatërruar sektorin e energjisë.
Haradinaj theksoi se Kurti ‘me krenari’ e ka anuluar vendimin për ndërtimin e termocentralit të ri.
“E ndaloi gazsjellësin amerikan dhe çdo investim strategjik, duke e lënë vendin pa asnjë alternativë të sigurt dhe afatgjatë për energjinë. Përfitues të kësaj politike të qëllimshme janë vetëm tregtarët e energjisë dhe klika e tij politike – ndërsa humbësi i vetëm është qytetari i Kosovës!”, ka shkruar në Facebook Haradinaj.
Kreu i AAK-së shtoi se përballë krizës ekonomike dhe rritjes së çmimeve të çdo produkti jetik, Qeveria e godet edhe një herë qytetarin me rritjen e çmimit të rrymës.
“Paralajmërimi i ZRrE-së për shtrenjtim prej 15% nga 1 prilli është një goditje e rëndë për mirëqenien e familjeve kosovare dhe për ekonominë e vendit”, theksoi ai.
Sipas Ramush Haradinajt, Qeveria e Albin Kurtit, është e paaftë dhe e rrezikshme.
“Prandaj Kosova ka nevojë për një udhëheqje që i mbron qytetarët, e jo që i dëmton ata”, shtoi Haradinaj.