
Paralajmërim nga BQK-ja: Kujdes nga mesazhet mashtruese në emër të bankave
Banka Qendrore e Republikës së Kosovës (BQK) sugjeron për kujdes nga qytetarët ndaj një fushatë mashtruese që po qarkullon aktualisht përmes mesazheve SMS.
Mesazhet paraqiten në mënyrë të rreme si njoftime nga bankat komerciale, me qëllim mashtrimin dhe vjedhjen e të dhënave financiare.
“Këto mesazhe mund të përmbajnë lidhje të rreme dhe kërkesa urgjente për veprim. Prandaj mos u mashtroni”, ka njoftuar BQK-ja.
Për të mbrojtur sigurinë tuaj online, BQK-ja këshillon të veproni si më poshtë:
Ruani me kujdes të dhënat e kartelës suaj dhe mos i ndani kurrë ato përmes e-mailit, SMS-it apo telefonit me persona të paautorizuar;
Mos hapni lidhje të dyshimta dhe mos klikoni në mesazhe që kërkojnë veprim të menjëhershëm;
Mos kryeni pagesa dhe mos vendosni të dhëna bankare përmes lidhjeve të dërguara në SMS;
Përdorni vetëm faqet zyrtare dhe aplikacionet e verifikuara të bankave dhe shmangni regjistrimin e të dhënave të kartelës në platforma të pasigurta;
Aktivizoni njoftimet me SMS ose aplikacion për çdo transaksion dhe kontrolloni rregullisht historinë e pagesave dhe transferave; dhe
Raportoni menjëherë çdo mesazh të dyshimtë te banka ose institucioni juaj financiar.
