
Papa Francesku kaloi natë të qetë, por gjendja e tij mbetet kritike
“Papa Françesku ka kaluar një natë të qetë dhe ka pushuar, por prognoza mbetet e rezervuar”, kështu njofton zyra e Shtypit e Vatikanit e cila thotë se analizat e gjakut të kryera dje gjithashtu treguan “një ulje të trombociteve, e shoqëruar me anemi, që kërkoi administrimin e transfuzioneve të gjakut”.
I shtruar që nga e premtja e javës së kaluar në spitalin Gemelli për shkak të një bronkiti që u shndërrua në pneumoni bilaterale, Papa Françesku dje pësoi një përkeqësim.
Në buletinin mjekësor të lëshuar në mbrëmje nga zyra e shtypit të Vatikanit, u raportua se në mëngjesin e djeshëm Bergoglio kishte kaluar “një krizë respiratore astmatike me kohëzgjatje të madhe, e cila kërkoi edhe përdorimin e oksigjenit me rrjedhje të lartë”.
Buletini vijonte duke theksuar se “Papa vazhdon të jetë i vetëdijshëm dhe e ka kaluar ditën ulur në kolltuk, megjithëse në gjendje më të rënduar se një ditë më parë”. Gjendja e tij “mbetet kritike dhe, siç u shpjegua dje, ai ende nuk është jashtë rrezikut”. Në përfundim, njoftimi mjekësor i publikuar mbrëmë nga Vatikani theksonte se “për momentin, prognoza mbetet e rezervuar”.