
Papa Françesku do të varroset më 26 prill
Varrimi i Papa Françeskut do të mbahet të shtunën, më 26 prill, në orën 10:00 në Bazilikën e Shën Pjetrit në Vatikan, njoftoi Vatikani të martën.
Françesku, i lindur si Jorge Mario Bergoglio në Buenos Aires të Argjentinës, vdiq më 21 prill në moshën 88-vjeçare.
Ai vdiq nga sulmi në tru dhe si pasojë nga dështimi i pakthyeshëm i zemrës, tha Vatikani.
Papa Françesku konfirmoi në testamentin e tij të fundit se dëshironte të varrosej në Bazilikën e Shën Marisë së Madhe në Romë dhe jo në Bazilikën e Shën Pjetrit në Vatikan, ndryshe nga shumë papë të mëparshëm.
Të martën, Vatikani publikoi fotografitë e para të papës në arkivolin e tij të hapur, para se ai të transferohej në Bazilikën e Shën Pjetrit të mërkurën në orën 09:00, për t’u vendosur për homazhe publike.
Trupi i papës u fotografua gjatë një shërbese të hënën në mbrëmje në kapelën e Casa Santa Marta, rezidenca në Vatikan ku ai jetoi gjatë 12 vjetëve të papatit të tij dhe ku ndërroi jetë.
Vendi i tij i origjinës, Argjentina, u përgatit për një javë të zisë kombëtare, ndërsa India filloi të martën tri ditë zie shtetërore – një nder i rrallë për një udhëheqës fetar të huaj në vendin më të populluar në botë.
Liderë botërorë, nga presidenti i ShBA-së, Donald Trump, deri te Volodymyr Zelensky i Ukrainës, thanë se do të marrin pjesë për të nderuar udhëheqësin katolik.