Papa dënon dhunën ndaj grave

Papa dënon dhunën ndaj grave

Papa Françesku dënoi dhunën ndaj grave, teksa foli për Italinë, shtet që po tenton të largohet nga një kulturë e shovinizmit mashkullor që shpesh ka çuar në femicid.

Papa kishte bërë më herët disa apele për t’i dhënë fund dhunës ndaj grave. Por, fjalët e përdorura për këtë çështje të hënën ishin të parat që kur në nëntor në Itali u vra brutalisht studentja 22-vjeçare, Giulia Cecchettin.

Vrasja e saj nxiti protesta dhe në thirrje që respekti për vajzat të futet në programet shkollore që nga cikli i ulët i arsimit.

“Çdo shoqëri duhet ta pranojë dhuratën që është gruaja, çdo grua: që ato të respektohen, të mbrohen dhe të dihet se kushdo që e lëndon një grua e përdhos Zotin”, tha Papa.

Ligjvënësit italianë në mënyrë unanime kanë mbështetur disa masa që synojnë të ulin dhunën ndaj grave, pasi pas vrasjes së studentes u rihap debati kombëtar për këtë çështje.

Ish i dashuri i studentes e ka pranuar vrasjen, tha avokati i tij.

Sipas Ministrisë së Brendshme të Italisë, mbi 100 gra janë vrarë më 2023, gjysma e të cilave nga partnerët apo ish-partnerët e tyre.