Pal Lekaj me propozim për zgjidhjen e ngërçit politik

Pal Lekaj me propozim për zgjidhjen e ngërçit politik

Ish-deputeti i Kuvendit të Kosovës, Pal Lekaj, ka reaguar ndaj situatës së fundit politike në vend, të asaj për krijimin e institucioneve të reja.

Ai ka thënë se situata politike e krijuar pas zgjedhjeve të fundit paraqitet e ndërlikuar dhe me potencial për të prodhuar vetëm zgjidhje afatshkurtra.

“Në mënyrë që të mos i lodhim qytetarët tanë me përplasje dhe bllokada politike që burojnë nga mospajtimet ndërpartiake, propozoj një zgjidhje të përbashkët dhe gjithëpërfshirëse: Formimin e një qeverie kalimtare me mandat 6-8 mujor, e cila do të kishte për detyrë të menaxhojë vendin deri në mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme, të cilat do të organizoheshin në fund të muajit nëntor ose në fillim të dhjetorit. Kjo datë do të përkonte me përfundimin e mandateve të kryetarëve të komunave, si dhe do të ishte një hap drejt afrimit të zgjedhjeve për presidentin e vendit”, ka shkruar Lekaj në “Facebook”.

Zyrtari i lartë i AAK-së ka thënë se kjo do të ishte një mundësi ideale për organizimin e një “pakete zgjedhore 3-në-1”, ku qytetarët me një dalje në votime do të zgjidhnin: 1. Përbërjen e re të Kuvendit dhe qeverinë e ardhshme, 2. Presidentin e ri të vendit, 3. Kryetarët e komunave.

“Një qasje e tillë do të sillte përfitime të shumta: Reduktim të kostove buxhetore, kursim kohe për qytetarët dhe institucionet, dhe rritje të besueshmërisë dhe legjitimitetit të institucioneve.

“Ky është një propozim që kërkon maturi politike, përgjegjësi dhe vullnet për zgjidhje, e jo për thellim të krizës”, ka thënë Lekaj.

Ai ka dhënë edhe një zgjidhje të mundshme për kryetarin e Kuvendit. “Le ta propozojë Lëvizja Vetëvendosje cilindo nga deputetët e pakicave jo-serbe për këtë pozitë. Le të tregojmë tolerancë dhe besim ndaj atyre që kanë dëshmuar besnikëri dhe përgjegjësi ndaj Republikës sonë. Kjo është një mundësi për të forcuar bashkëjetesën, përfaqësimin dhe unitetin institucional”, ka deklaruar Lekaj.