Pacienti në Gjermani vaksinohet 217 herë kundër Covid-19
Një burrë 62-vjeçar nga Gjermania u vaksinua 217 herë kundër Covid-19. BBC shkruan se rasti i çuditshëm u dokumentua në revistën “The Lancet Infectious Diseases”.
“Burri nuk duket se ka pësuar ndonjë efekt negativ”, thonë studiuesit nga Universiteti i Erlangen-Nurnberg.
“Ne morëm vesh për rastin e tij nga artikujt e gazetave”, tha Dr. Kilian Schober, nga departamenti i mikrobiologjisë së universitetit.
“Më pas e kontaktuam dhe e ftuam që t’i nënshtrohej analizave të ndryshme në Universitetin tonë”, shpjegon doktori, duke thënë se shtetasi gjerman ishte shumë i interesuar për këtë.
Mjeku shpjegon se ata përdorën mostrat e tij të gjakut për të përcaktuar sesi sistemi i tij imunitar reagoi ndaj terapisë që mori.
Përveç kësaj, provat e 130 dozave u mblodhën nga prokurori publik i qytetit gjerman të Magdeburgut, i cili hapi një hetim për mashtrimin e supozuar, por nuk u ngrit asnjë akuzë penale.
Siç shkruan BBC, vaksinat kundër Covid nuk mund të shkaktojnë infeksion, por ato mund t’i mësojnë trupit se si të luftojë sëmundjen. Gjithashtu, vaksinat e acidit ribonukleik funksionojnë duke u treguar qelizave të trupit pjesë të kodit gjenetik të virusit.
Më pas, sistemi imunitar duhet të njohë dhe të mësojë se si të luftojë kundër Covid-it, në momentin që ai e has.
Megjithatë, megjithëse mjekët ishin të shqetësuar për hiperstimulimin e sistemit imunitar tek ky pacient, sepse dozat e përsëritura mund të çonin në lodhjen e qelizave të caktuara, studiuesit nuk e vunë re këtë tek 62-vjeçari.