Osmani: Vuçiqi qëndron pas sulmit në Banjskë, këtë ma kanë konfirmuar disa liderë

Osmani: Vuçiqi qëndron pas sulmit në Banjskë, këtë ma kanë konfirmuar disa liderë

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë se presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq qëndron prapa sulmit në Banjskë të Zveçanit ku u vra rreshteri i Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku.

Në një intervistë për mediumin arab “Al Aan” dhënë më 8 shkurt, të cilën Presidenca e Kosovës e shpërndau sot në Facebook, Osmani tha se i është konfirmuar edhe nga aleatët se Vuçiqi qëndron pas sulmit të 24 shtatorit.

“Këto dëshmi janë konfirmuar nga aleati ynë më i rëndësishëm, dhe janë ndarë me shtetet anëtare të NATO-s. Gjithçka çon te Vuçiqi. S’po flasim te humbja e tij e kontrollit ndaj disa bandave. Po flasim për të se ka organizuar e urdhëruar sulmet nëpërmjet bandave. E tash po mundohet t’i ikë përgjegjësisë, duke dhënë disa emra. Të gjithë e dinë, kam pritur në zyre shumë mysafirë e liderë e ma kanë konfirmuar këtë. Ka raste edhe kur i kanë thënë Vuçiqit direkt, se kanë shumë dëshmi se ai ishte pas sulmit. Është konfirmuar kjo dëshmi nga aleatë të ndryshëm”, ka theksuar Osmani.