Osmani takon Mathisenin: Kosova të bëhet sa më parë anëtare e Këshillit të Evropës

Osmani takon Mathisenin: Kosova të bëhet sa më parë anëtare e Këshillit të Evropës

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka pritur të martën në takim të dërguarin e posaçëm të Mbretërisë së Norvegjisë për Ballkanin Perëndimor, Eirik Nestas Mathisen.

Gjatë takimit u diskutua për zhvillimet e fundit në Kosovë dhe rajon, marrëdhëniet bilaterale ndërmjet Kosovës dhe Norvegjisë, si dhe për rëndësinë e mbështetjes së vazhdueshme norvegjeze në rrugën e Kosovës drejt integrimit euroatlantik.

Presidentja Osmani shprehu mirënjohjen e saj për përkrahjen e pandërprerë që Norvegjia i ka dhënë Kosovës në secilën fazë të shtetndërtimit, duke theksuar se kjo mbështetje është kyçe në përpjekjet e vazhdueshme për integrim në strukturat euroatlantike.

Në këtë kontekst, presidentja Osmani nënvizoi rëndësinë që Kosova të bëhet sa më parë anëtare e Këshillit të Evropës, si dhe të ecë përpara në procesin e integrimit euroatlantik.

Gjatë takimit u diskutuan gjithashtu edhe tema të tjera me interes të përbashkët ndërmjet dy vendeve, si dhe u riafirmua përkushtimi për thellimin e mëtejmë të partneritetit ndërmjet Kosovës dhe Norvegjisë.