
Osmani synon edhe një mandat presidente
Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, në një intervistë për Kiks Kosova në Klan Kosova, ka folur për të gjitha zhvillimet politike në Kosovë, pozicionin e saj, dialogun me Serbinë, si dhe çështjet e ‘nxehta’ të vendit.
Para gazetares Ardiana Thaçi – Mehmeti, Osmani është përgjigjur se ku do të jetë pas përfundimit të mandatarit, cilat janë raportet e saj me kreun e LVV-së, Albin Kurti, a e mbështet Asociacionin e Komunave, si dhe qëndrimin e saj për dialogun, Bashkimin Evropian e shumëçka tjetër.
Shefja e shtetit ka bërë të ditur se synon një mandat tjetër, sepse siç tha Osmani, edhe populli e ka kërkuar, bazuar në të gjitha sondazhet, raporton Klankosova.tv
Por a do ta votojnë partitë politike që sërish të jetë në postim më të lartë, presidentja e pati një përgjigje të prerë.
“Partitë politike duhet ta dinë a më duan në Presidencë, e nëse jo, do të jem në politikë sepse kam ende shumë çka i jap politikës.” – tha Osmani për Kiks.
E për marrëdhënien e saj me Kurtin, ajo u shpreh se është mirë që kanë mendime të ndryshme për tema të caktuara.
Ndërsa për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe, Vjosa Osmani ishte e qartë.
Dokumenti i prezantuar nga ish-emisari Lajçak, tha se e shkel Kushtetutën e Kosovës.
“Unë nuk e përkrahi një gjë të tillë.”
Megjithatë, presidentja tha se dialogu duhet të vazhdojë dhe Qeveria të marrë mbështetjen e të gjitha subjekteve politike.
“Qeverisë i duhet mbështetja e partive politike, në procesin e dialogut”.
Gazetarja Thaçi – Mehmeti e pyeti Osmanin edhe për çështjen e datës së zgjedhjeve, që u diskutua shumë, sikur presidentja e ndihmoi partinë e Kurtit.
Osmani e zbuloi në Kiks Kosova se nuk ka pasur mundësi ta caktojë datën 21 dhjetor, sepse KQZ ia ka dërguar letrën që s’arrijnë të jenë gati për palë tjera zgjedhje, meqë procesi zgjedhor i balotazhit ende s’kishte përfunduar mirë.
