
Osmani shpërndan Kuvendin, pritet data e shpalljes së zgjedhjeve
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani e ka nënshkruar të enjten vendimin për të shpërndarë Kuvendin, pasi nuk është arritur asnjë marrëveshje që deputetët të provojnë t’i votojnë sot disa marrëveshje me rëndësi për vendin.
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza, ka thënë se gjatë takimit me Osmanin ka kërkuar që zgjedhjet të mbahen më 21 dhjetor, pasi argumentoi se vendi “ka nevojë që sa më shpejt të ketë institucione”.
Ai ka thënë se data tjetër e përmendur në takim për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme ishte 28 dhjetori.
Edhe kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj ka thënë se kërkon që zgjedhjet të mbahen më 21 dhjetor dhe që partia e tij shkon e vetme në zgjedhjet e reja.
Ndërkaq, kreu i partisë Guxo, Faton Peci, ka thënë se partia e tij kërkon që zgjedhjet të mbahen më 28 dhjetor, në mënyrë që Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) të bëhet gati për procesin zgjedhor.
