
Osmani pranon letrat kredenciale nga ambasadori i ri i Malit të Zi
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka pranuar sot letrat kredenciale nga ambasadori i ri i Malit të Zi në Kosovës, Bernard Çobaj.
Në komunikatën për media thuhet se duke i uruar mirëseardhje dhe suksese në detyrën e re, Osmani ka theksuar rëndësinë e marrëdhënieve të mira fqinjësore ndërmjet Kosovës dhe Malit të Zi, të cilat siç thuhet, janë ndërtuar mbi parime të respektit dhe bashkëpunimit të ndërsjellë.
“Presidentja vlerësoi mbështetjen e Malit të Zi për Kosovën në periudha të rëndësishme, duke nënvizuar rëndësinë e thellimit të mëtejshëm të bashkëpunimit në fusha me interes të përbashkët.”
“Presidentja Osmani ritheksoi përkushtimin e institucioneve të Kosovës për të thelluar bashkëpunimin me Malin e Zi në frymën e fqinjësisë së mirë, stabilitetit rajonal dhe integrimit euroatlantik. Ajo shprehu bindjen se gjatë mandatit të ambasadorit Çobaj do të hapen mundësi të reja bashkëpunimi, duke forcuar më tej lidhjet ndërmjet dy shteteve”, thuhet në komunikatë.