Osmani për rastin e Faton Hajrizit: Të gjitha përpjekjet janë bërë nga Kosova, kemi të bëjmë me një shtet fashist

Osmani për rastin e Faton Hajrizit: Të gjitha përpjekjet janë bërë nga Kosova, kemi të bëjmë me një shtet fashist

Presidentja Vjosa Osmani në konferencën e sotme është pyetur për rastin e tërheqjes së trupit të Faton Hajrizit nga Serbia.

Ajo tha se për këtë rast, Kosova i ka ndërmarrë të gjitha hapat që kërkohen, por tha se “kemi të bëjmë me një shtet fashist”.

“Ambasadori ynë në këtë shtet në baza ditore angazhohet edhe me aleatët tonë ndërkombëtarë që kanë ambasada në Beograd edhe me institucionet tona. Siç e dini më konkretisht janë Ministria e Drejtësisë dhe Ministria e Jashtme që e bartin këtë proces. Ju siguroj që të gjitha përpjekjet nga ana e Republikës së Kosovës janë duke u bërë, thjesht kemi të bëjmë me një shtet fashist që edhe në raste të tilla tentojnë të bëjnë çmos që të shkaktojnë pengesa”.

Ajo nuk komentoi më shumë rreth rastit, por tha se komunikimi është duke vazhduar.

“Të gjitha kërkesat që duhet të bëhen, për aq sa jam e njoftuar si presidente e Republikës, sepse ato nuk bëhen nga niveli presidencial, bëhen në nivel politik. Ne e diskutojmë këtë temë në vazhdimësi në takim me përfaqësues të shteteve aleate. Megjithatë, kërkesat formale bëhen nga ministritë e linjës. Duhet të presim derisa të kemi një përgjigje konkrete”.

Faton Hajrizi u vra në Loznicë të Serbisë nga policia serbe pasi u dyshua për vrasjen e një polici. Ai ishte arratisur nga burgu i Smkrekonicës në Kosovë më 6 korrik.