Osmani për muzeun e Masakrës së Krushës: Njësoj sikurse liria, rezultat i sakrificës së popullit shqiptar

Osmani për muzeun e Masakrës së Krushës: Njësoj sikurse liria, rezultat i sakrificës së popullit shqiptar

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka kërkuar drejtësi për masakrën e Krushës së Madhe të Rahovecit, ku u vranë 243 persona, ndërsa 893 shtëpi private dhe shoqërore janë djegur.

Në përurimin e Muzeut në 25-vjetorin e masakrës në këtë fshat, Osmani tha se muzeu do të jetë në funksion për krimet që Serbia i kreu ndaj qytetarëve të Kosovës.

Ajo tutje u shpreh se zërat e viktimave nuk do të heshtën e as harrohen nëpërmjet dokumentimit me rastin e inaugurimit të këtij muzeu.

“Sot jemi këtu të gjithë së bashku për ta kujtuar një mizori ku regjimi gjenocidial i Serbisë ekzekutoi qindra burra, djem, fëmijë edhe gra shtatzëna. Sot jemi këtu për të kërkuar që të zbardhet fati i të zhdukurve. Sot jemi këtu për të kujtuar edhe intelektualin Ukshin Hoti. Mbi të gjitha sot jemi këtu për ta institucionalizuar kujtesën tonë kolektive. Ky muze është në funksion të thirrjes sonë të përbashkët në drejtësi e cila akoma mungon. Ne nuk duhet ta harrojmë rrugën nëpër të cilën kemi kaluar. Pikërisht në krye të këtij mision kanë qenë krushjanët”, tha Osmani.

E para e shtetit deklaroi se inaugurimi i muzeut njësoj sikurse liria, janë rezultat i sakrificës së popullit shqiptar.

“Ata nuk ja dolën në mision e shfarosjes së popullit shqiptarë. Duke kujtuar viktimat e mizoreve kujtojmë dinjitetin e tyre e sakrificën e tyre. Familjet kanë nevojë për liri, Kosova ka nevojë për drejtësi. Zërat e viktimave ende kumbojnë. Prej sot ky muze do të jetë në funksion të atyre për krimet që Serbia i kreu për qytetarët e Kosovës. Ky muze sikur se liria jonë janë rezultat i sakrificës sonë për liri dhe sakrificës së aleatëve tanë. Ky muze është historia jonë e dhimbshme por uroj që të mos jete historia e askujt. Asnjë here nuk ndalojmë së kërkuari që autoret të dalin para drejtësisë”, ka thënë ajo.

Kryetari i komunës së Rahovecit, Smail Latifi, tha se inaugurimi i muzeut që dokumenton këtë ngjarje, është tregues i çmimit të Kosovës për liri. Tha se mbi 140 të vrarët e personat e zhdukur nga kjo masakër kanë pësuar vetëm për shkak të etnisë së tyre shqiptare.

“Ky muze do të trokas në ndërgjegjen tonë dhe të atyre që vijnë pas nesh, duke na treguar çmimin e lartë që kemi paguar për lirinë e tokës sonë. Masakra e Krushës së Madhe është një nga masakrat më masive që u bë nga paramilitarët, policia dhe ushtria e shtetit terrorist të Serbisë. Për fare pak kohë, u dogjën 850 shtëpi, u shkatërrua baza materiale e shumë fshatarëve, u asgjësuan monumentet e trashëgimisë kulturore e historike dhe u rrënua gjithçka që lidhej me trashëgiminë tonë kombëtare”, tha Latifi.

“Kujtesa jonë për marsin  e 1999 mbete njësoj e freskët. Luftën, djersën, mundin e gjakut ja kemi borxh vendit. Kjo tokë është larë shumë herë më gjake, megjithatë kemi qëndruar këtu dhe kemi ruajtur varret e të parëve. Për të mos harruar mundin e djersen e tyre, ne kemi investuar në rregullimin dhe mirëmbajtën e varreve edhe dhe kemi ngritur edhe muzeun e masakrës. Është një nga masakrat më masive që u bë nga ushtria shtetit terrorist të Serbisë, për pak kohë u dogjën mbi 800 shtëpi dhe u shkatërrua gjithçka që lidhte me trashëgimin tonë kulturore”, tha tutje Latifi.

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, deklaroi se nëpërmjet inaugurimit të masakrës së Krushës së Madhe ruhet kujtesa kolektive për gjenocidin e Serbisë në Kosovë.

“Ky muze do t’i kontribuoj kujtesës sonë kolektive për të mos harruar asnjëherë krimet mizore dhe aktet gjenocidale të Serbisë fashiste”, u shpreh Haxhiu.

“Së fundmi kemi themeluar Institutin për dokumentimin dhe hulumtimin e krimeve të kryera gjatë luftës së fundit në Kosovë, në të cilën do të dokumentohen të gjitha masakrat dhe krimet e tjera që janë kryer në Kosovë”, ka shtuar Haxhiu, raporton Ekonomia Online.