Osmani pas takimit me Escobar: Bashkëpunimi me SHBA bosht i veprimeve tona
Presidentja Vjosa Osmani ka deklaruar se bashkëpunimi me aleatët, e veçanërisht me SHBA-në duhet të jetë bosht i veprimeve të institucioneve.
Ajo një deklaratë të tillë e ka bërë pas takimit me të dërguarin e posaçëm të SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabirel Escobar.
“Sapo e përfunduam një takim përmbajtësor në të cilin diskutuam për zhvillimet e fundit në vendin tonë dhe proceset e rëndësishme në të cilat po kalon Republika e Kosovës. Përgjatë çdo faze e sfide SHBA-të kanë qëndruar përkrah Kosovës, për çka populli i Kosovës do të jetë mirënjohës. Prandaj, bashkëpunimi me aleatët tanë, veçanërisht me SHBA-të duhet të jetë bosht i veprimeve tona. Puna jonë e përbashkët me SHBA-të ka qenë dhe mbetet jetike në Republikën e Kosovës”, ka theksuar Osmani.
Ajo tutje ka thënë se bashkëpunimi me aleatët është si në përpjekjet e pakompromis për të siguruar sundim të ligjit në të gjithë territorin e Kosovës, ashtu edhe për fuqizimin e pozitës ndërkombëtare të Kosovës, veçanërisht sa i përket integrimeve në institucionet veriatlantike.
“Prandaj bashkëpunimi me aleatët jo vetëm se është i dobishëm por edhe i domosdoshëm”, ka thënë presidentja.
Sa i përket procesit të dialogut me Serbinë, për të cilin presidentja tha se janë thellësisht të përkushtuar, ka potencuar se suksesi i këtij procesi varet edhe nga qasja parimore dhe e barabartë të Bashkimit Evropian ndaj palëve. “Është kruciale të ketë zbatim të plotë të marrëveshjeve të dakorduara vitin e kaluar, veçanërisht Marrëveshjes Bazike të shkurtit 2023 dhe aneksit të Ohrit të marsit 2023. Prandaj, qasja selektive vetëm e neneve të caktuara të Marrëveshjes Bazike nuk do të ndihmojë sepse të gjitha nenet kanë rëndësi, prandaj edhe zbatimi duhet të jetë i plotë dhe jo i pjesshëm”, ka deklaruar Osmani.
Presidentja ka shtuar se angazhimi dhe roli i SHBA-së mbetet kyç për përmbyllje të suksesshme të procesit të dialogut, e cila do të dërgonte në njohje të ndërsjellë.
Ajo ka falënderuar partnerët, veçanërisht SHBA-të, për konfirmimin se rendi kushtetues dhe integriteti territorial e funksionaliteti shtetëror do të mbrohen përherë.
“Edhe procesi i largimit të katër kryetarëve të komunave në veri është duke u realizuar konform procedurave të vendosura me ligj dhe me udhëzim administrativ, në mënyrë që qytetarët e komunave të veriut të mund ta realizojnë të drejtën e tyre të garantuar në ligjin për vetqeverisje lokale”, ka thënë ajo.
Presidentja Osmani ka thënë se pret që në partneritet me aleatët të rregullohet edhe çështja e Rregullores së re të Bankës Qendrore të Kosovës sa i përket ndalimit të dinarit.
“Zbatimi i qëndrueshëm dhe efikas i kësaj rregulloreje është i mundshëm në bashkëpunim të plotë dhe me mbështetjen e aleatëve tanë. Ata janë pro zbatimit të Kushtetutës, siç e kanë thënë çdo herë dhe në favor të një plani tranzicional të qëndrueshëm, prandaj besoj se edhe çështja e kësaj rregulloreje do të ecë përpara me një zgjidhje të përbashkët dhe në interes të të gjithë qytetarëve të Republikës së Kosovës”, ka nënvizuar Osmani.