Osmani në takim me komandantin e KFOR-it: Hapja e urës është në interes të qytetarëve

Osmani në takim me komandantin e KFOR-it: Hapja e urës është në interes të qytetarëve

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka pritur sot në takim Komandantin e KFOR-it, gjeneralmajor Özkan Ulutaş.
Në takim u diskutua për zhvillimet e fundit në fushën e sigurisë, përfshirë çështjen e hapjes së urës së Ibrit.

Presidentja Osmani ka përsëritur qëndrimin e saj se çështja e hapjes së urës nuk duhet asesi të bëhet temë e dialogut me Serbinë.

Presidentja ka ritheksuar se hapja e urës si akt normalizimi e integrimi është në interes të të gjithë qytetarëve, pa dallim etnie.

Në këtë drejtim, presidentja Osmani ka cekur rëndësinë e konsultimit dhe koordinimit në mes të institucioneve tona dhe partnerëve tanë të sigurisë, veçanërisht me NATO-n, në mënyrë që të ndërtohet plani i përbashkët i zbatimit për hapjen e urës për çdo qarkullim, që ka parasysh vlerësimet e sigurisë dhe interesat e qytetarëve tanë.

Presidentja Osmani e falënderoi Komandantin e KFOR-it, për angazhimin e tij personal, si dhe të gjithë ushtarëve të KFOR-it, për mirëmbajtjen e paqes dhe sigurisë në vend.

“Hapja e urës si akt normalizimi e integrimi është në interes të të gjithë qytetarëve, pa dallim etnie. Suksesi afatgjatë e i qëndrueshëm arrihet gjithnjë bashkë me aleatë!”, ka shkruar Osmani në Facebook.