Osmani në Bruksel: Fokusi të jetë në parandalimin e sulmeve të reja
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, tha më 4 dhjetor se gjatë takimeve që ka zhvilluar në Bruksel me zyrtarët e lartë të Bashkimit Evropian ka kërkuar bashkëpunim dhe që fokusi të jetë në parandalimin e “sulmeve të reja terroriste”, pas sulmit në Zubin Potok.
Më 29 nëntor, kanali i Ibër-Lepencit në Zubin Potok u sulmua me mjete shpërthyese. Kosova e ka cilësuar shpërthimin si sulm terrorist dhe e ka fajësuar Serbinë për të.
Beogradi ka mohuar përfshirjen dhe e ka dënuar sulmin.
Edhe Bashkimi Evropian e ka cilësuar “akt terrorist” dhe “akt sabotues” sulmin ndaj infrastrukturës kritike të Kosovës.
Osmani foli për gazetarët pas takimeve që zhvilloi fillimisht me presidentin e ri të Këshillit Evropian, Antonio Costa, dhe më pas me presidenten e Parlamentit Evropian, Roberta Metsola.
Osmani tha se në këto takime është biseduar për sulmin e fundit në Zubin Potok ndaj kanalit të ujit dhe për rreziqet e reja që mund t’i vijnë Kosovës nga sulme të tjera eventuale.
Ajo tha se në takimet në Bruksel ka rikonfirmuar gatishmërinë e plotë të Kosovës për të ftuar partnerët ndërkombëtarë që të marrin pjesë në hetime për shpërthimin e 29 nëntorit.
“Duhet të kërkohet përgjegjësi për sulmet e vazhdueshme të cilat Serbia, nëpërmjet strukturave të saj ilegale, po i kryen kundër Kosovës”, tha ajo.
E pyetur se sa janë bindëse dëshmitë që i ka paraqitur Kosova sa i përket përgjegjësisë së Serbisë për këto sulme, pasi që disa zyrtarë evropianë kanë deklaruar se nuk duhet nxituar me paragjykime rreth fajësisë, Osmani tha se ka mjaft dëshmi që e bëjnë përgjegjëse Serbinë.
“Institucionet e Kosovës asnjëherë nuk merren me paragjykime, por me prova konkrete. Personat e arrestuar janë anëtarë të organizatës terroriste ‘Mbrojtja Civile’. Anëtarët e kësaj organizate edhe emërohen nga Serbia, edhe paguhen nga Beogradi zyrtar. Edhe po të mos ekzistonte asnjë lidhje tjetër, vet fakti që këta persona janë zyrtarë të Beogradit, paguhen, mbështeten, trajnohen për sulme të tilla nga Beogradi, dëshmon mjaftueshëm për përfshirjen e Serbisë”, tha presidentja Osmani.