Osmani: Krishtlindja është një kohë reflektimi e solidariteti, gëzuar për shumë mot

Osmani: Krishtlindja është një kohë reflektimi e solidariteti, gëzuar për shumë mot

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka uruar besimtarët e krishterë me rastin e Krishtlindjes.

Osmani thotë se Krishtlindja është një kohë reflektimi e solidariteti, teksa zemrat dhe shtëpitë janë të mbushura me shpresë e optimizëm.

“Në këtë ditë kremte, le t`i kujtojmë ata që mund të përballen me sfida dhe t’ua shtrijmë dorën e mirësisë e dhembshurisë. Qoftë kjo festë e mbushur me dashuri, paqe dhe gëzim për secilën familje! Gëzuar për shumë mot”, thuhet në urimin e presidentes.

Krishtlindja është një nga kremtimet më të rëndësishme në kalendarin festave të krishtera, e cila festohet çdo datë 25 dhjetor për të kujtuar lindjen e shpëtimtarit Jezu Krisht.

Ajo pas Pashkëve është festa më e rëndësishme për të krishterët. Rëndësia e ditës së Krishtlindjes nisi të rritet dalëngadalë pas kurorëzimit të Karlit të Madh në vitin 800, ditën e Krishtlindjes.

Me rastin e kësaj feste, Ipeshkvia e Kosovës do të organizojë sot pritje nga ora 18:00 në Qendrën “BogdaniPolis” te Katedralja “Shën Nënë Tereza”, ku pritet të vijnë përfaqësuesit e institucioneve shtetërore, trupi diplomatik dhe njerëz të kulturës, artit dhe miq e dashamirë.

Në orën 23:30 nis programi për Krishtlindje në Katedrale, i cili zgjat deri në mesnatë. Në orën 24:00 mbahet mesha solemne e Krishtlindjes, të cilën do ta udhëheqë Imzot Dodë Gjergji.