Osmani kërkon përsëri heqjen e masave ndaj Kosovës në takim me ambasadorët e BE-së

Osmani kërkon përsëri heqjen e masave ndaj Kosovës në takim me ambasadorët e BE-së

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka kërkuar përsëri nga Bashkimi Evropian (BE) t’i heqë masat “e padrejta” ndaj Kosovës, gjatë një takimi të mërkurën me ambasadorët e vendeve të bllokut evropian në Prishtinë.

“Theksova urgjencën e largimit të masave të padrejta ndaj Kosovës, që dëmtojnë qytetarët tanë dhe cenojnë vet parimet e BE-së”, shkroi Osmani në Facebook.

BE-ja vendosi masa ndëshkuese ndaj Kosovës më 2023 – pas rritjes së tensioneve në veri të vendit – dhe vazhdon t’i mbajë ato në fuqi me arsyetimin se Kosova nuk ka bërë ende mjaftueshëm për shtensionimin e gjendjes në veriun e banuar me shumicë serbe.

“Sot në takim me ambasadorët e vendeve të BE-së, theksova urgjencën e largimit të masave të padrejta ndaj Kosovës, që dëmtojnë qytetarët tanë dhe cenojnë vet parimet e BE-së. Poashtu diskutuam për hapat drejt konstituimit të institucioneve të reja të dala nga zgjedhjet e 9 shkurtit si dhe për procesin e dialogut të ndërmjetësuar nga BE. Kosova mbetet e palëkundur në rrugëtimin e saj evropian dhe e përkushtuar për bashkëpunim me qëllim të avancimit në këtë rrugëtim”, ka shkruar Osmani.