Osmani: Ka tendencë që masat e BE-së të përdoren për ta kushtëzuar Kosovën për diçka krejt tjetër
Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, ka thënë se ka tendencë që masat e vendosura nga Bashkimi Evropian të përdoren për ta kushtëzuar Kosovën për çështje të ndryshme nga arsyeja që ato janë vendosur.
Kështu ka thënë ajo në një konferencë të përbashkët me homologun bullgar Rumen Radev, i cili po qëndron për vizitë në Prishtinë, raporton Klan Kosova.
“Ato që janë kërkuar nga Kosova tashmë kanë ndodhur dhe masat veçse është dashur të hiqen sepse janë masa që afektojnë negativisht qytetarët tanë”, ka thënë Osmani.
“Për fat të keq ato akoma nuk janë larguar dhe unë pajtohem se ka tendencë nga disa që tani masat të përdoren si mënyrë për të kushtëzuar Kosovën për çështje komplet të ndryshme nga arsyeja që ato janë vendosur në fillim”, ka shtuar ajo.
Tutje, ajo ka thënë se kjo logjikë vetëm sa do të ndikonte negativisht në procesin e dialogut me Serbinë.