Osmani ia kthen Kuvendit dy ligje për rishqyrtim
Bazuar në kompetencat e saj kushtetuese, presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka përdorur të drejtën e vetos, duke kthyer dy ligje për rishqyrtim në Kuvendin e Kosovës: Ligji për Këshillin e Sigurisë është kthyer për shkak se me përmbajtjen aktuale e rrezikon sigurinë kombëtare dhe është në kundërshtim me Kushtetutën.
Në vendimin e presidentes thuhet se, rregullimi i funksionimit të një institucioni me dy ligje të ndryshme, njëri gjatë kohës së paqe ndërsa tjetri për gjendje të jashtëzakonshme, nuk është në përputhje me një praktikë tashme të konsoliduar të hartimit të akteve juridike në republikën e Kosovës.
Ndërkaq Ligji për mbrojtjen e konsumatorit është kthyer për shkak të dispozitave të caktuara të cilat rrezikojnë mbrojtjen e mjedisit dhe shëndetit të qytetarëve, të drejta këto të garantuara me Kushtetutë.
Lidhur me këtë ka reaguar drejtori i Institutit të Kosovës për Drejtësi, Ehat Miftaraj, i cili ka përgëzuar presidenten për këtë hap. “Pas Gjykatës Kushtetuese dhe Komisionit të Venecias, edhe presidentja e republikës, i tregon qeverisë dhe Kuvendit se nuk dinë të hartojnë ligje dhe politika në pajtim me Kushtetutën”, ka shkruar në “Facebook”, duke i thënë presidentes në gjuhën angleze: “Të lumtë presidente.