
Osmani fton partitë për t’u konsultuar rreth datës së zgjedhjeve lokale
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, i ka ftuar subjektet politike për një takim të mërkurën, për t’u konsultuar rreth datës së zgjedhjeve lokale në Kosovë. “Menjëherë pas konsultimeve, presidentja do të caktojë datën e zgjedhjeve”, ka bërë me dije Bekim Kupina, këshilltar për media i presidentes Osmani.
Zgjedhjet e fundit lokale në Kosovë janë mbajtur në tetor të vitit 2021. Lidhja Demokratike e Kosovës pati dalë e para, e pasuar nga Lëvizja Vetëvendosje dhe Partia Demokratike e Kosovës, raporton Radio Evropa e Lirë.
Diskutimet për zgjedhjet lokale bëhen në kohën kur Kosova ende nuk ka Qeveri të re, si pasojë e moskonstituimit të Kuvendit të Kosovës, ndonëse zgjedhjet parlamentare janë mbajtur më 9 shkurt të këtij viti.
Më 2 qershor Kuvendi ka dështuar që të konstituohet për të 25-ën herë.