Osmani e përgëzon Lladrovcin për punën në komunën e Drenasit

Osmani e përgëzon Lladrovcin për punën në komunën e Drenasit

Në vazhdën e ciklit të vizitave në komunat e Kosovës, Vjosa Osmani, sot ka qëndruar në Drenas.

Ajo është pritur nga kryetari i kësaj komune, Ramiz Lladrovcin, dhe pas takimit me të e qytetarët e Drenasit, Osmani është deklaruar për media.

E para e shtetit tha se Drenasi e ka dëshmuar nëpërmjet performancës së saj që është njëra ndër komunat më transparente.

“Drenasi vërtetë e ka dëshmuar nëpërmjet performancës së saj që është njëra ndër komunat më transparente dhe këtë e ka dëshmuar për vite me radhë. Si rrjedhojë ka fituar grante nëpërmjet të cilave është investuar në sektor në interes të qytetarëve të Drenasit. Nxënësit e Drenasit janë të vetmit që janë pjesë e projekteve të jashtëzakonshme të BE-se për shkak të performancës së tyre të mirë”, tha Osmani.

E para e shtetit e ka përgëzuar Lladrovcin për punë dhe të njëjtin e ka falënderuar për mikpritje.

“Dua ta përgëzoj kryetarin Ramiz Lladrovcin për punë sidomos në gjithëpërfshirje e në veçanti për mikpritjen. I falënderoj gratë dhe burrat që ishin këtu e me të cilët kishim mundësi të bashkëbisedojmë. Do ta vazhdojmë mbështetjen tonë për rininë e Drenasit dhe gjithë qytetarët e Drenasit. Drenasi është në qendër të Kosovës me një lloj lidhje me të gjitha kryeqendrat tjera. Mundësi për investime ekziston këtu, thjesht duhet t’i bashkojmë forcat në Drenasin e heronjve të luftës së UÇK-së, në Drenasin e shumë heroinave që janë edhe sot simbol i qendresës dhe simbol i gruas së fortë. Drenasi i Fehmi e Xhevë Lladrovcit që edhe sot vazhdojnë të jenë udhërrëfyes në punën tonë për Kosovën tonë të lirë dhe të pavarur”, u shpreh më tej presidentja.