Osmani: Drafti i Asociacionit t’i lihet ShBA-së
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani në adresimin e saj vjetor në Kuvendin e Kosovës ka përmenduar edhe dialogun Kosovë-Serbi të udhëhequr nga Bashkimi Evropian.
Lidhur me këtë, Osmani thotë se ky dialog ka qenë i pabalancuar, e me një trajtim të padrejtë ndaj Kosovës dhe një akomodim të vazhdueshëm të Serbisë, njofton Klankosova.tv.
Osmani po ashtu tha se drafti i Asociacionit duhet të diskutohet me SHBA-të, në mënyrë që kjo çështje mos t’i lihet as Lajçakut e as të tjerëve që nuk besojnë në pavarësinë e Kosovës.
“Më duhet të theksoj me keqardhje, që propozimet që shpesh kam bërë për përmirësimin e këtij procesi, janë ballafaquar me një sërë dezinformatash e sulmesh të ulëta, që nuk i kanë hije askujt në Kosovë. Për të qenë edhe më e qartë, kur unë kam propozuar që drafti i asociacionit të fillohet të diskutohet me SHBA-të, në mënyrë që kjo çështje mos t’i lihet as Lajçakut e as të tjerëve që nuk besojnë në pavarësinë e Kosovës, kjo nuk ka nënkuptuar që unë po kërkoj themelim të asociacionit, por ka nënkuptuar se më shumë i kam besuar vetvetes sonë dhe Amerikës, sesa disa burokratëve nga shtetet jonjohëse, kam besuar se një draft statut ku mbrohet kushtetuta, mbrohet sovraniteti, mbrohen kufijtë tanë dhe mbrohet funksionaliteti i shtetit, më mirë hartohet nga vet ne që kemi marrë mandat ta mbrojmë Kosovën, sesa nga disa “ekspertë të jashtëm”, që kurrë nuk kanë besuar në projektin e Kosovës së pavarur, sovrane e të lirë”, tha Osmani.
“Fatkeqësisht ky propozim i imi atëherë ishte goditur në mënyrën më të ulët, me lloj- lloj shpifjesh deri tek shpifjet për tradhti kombëtare. E ku jemi sot? Jemi pikërisht në momentin ku po kërkohet e njëjta, pra që draftin ta hartojmë ne. Por, siç dihet, vendimet e duhura duhet të merren edhe në momentin e duhur. Njësoj po ndodhë edhe këto ditë, me lloj- lloj shpifjesh të ulëta se kinse Presidentja po kërkon “nënshkrim të njëanshëm të marrëveshjes”. Kjo është gënjeshtër”, tha ajo.