Osmani dhe O’Brien bisedojnë për sigurinë në rajon

Osmani dhe O’Brien bisedojnë për sigurinë në rajon

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, është takuar në Shtetet e Bashkuara me ndihmëssekretarin amerikan të Shtetit për Evropën dhe Euroazinë, James O’Brien, me të cilin ka diskutuar për sigurinë në rajonin e Ballkanit Perëndimor.

Osmani tha po ashtu se gjatë takimit është diskutuar edhe për thellimin e bashkëpunimit me SHBA-në.

“Takimi i radhës me ndihmëssekretarin e Shtetit, Jim O’Brien, për të diskutuar për thellimin më tutje të bashkëpunimit me Shtetet e Bashkuara, si dhe ndërmarrjen e hapave që janë në interes të qytetarëve të Kosovës, integrimit euroatlantik të vendit tonë, si dhe paqes dhe sigurisë në të gjithë rajonin”, shkroi ajo në Facebook.

Osmani po qëndron në SHBA dhe po merr pjesë në disa ngjarje, teksa liderët botërorë janë mbledhur për punimet e Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara.