Osmani dhe Grunder flasin për bashkëpunimin Kosovë-ShBA në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes

Osmani dhe Grunder flasin për bashkëpunimin Kosovë-ShBA në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka pritur të enjten në takim të ngarkuarën me punë të Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Alyson Grunder.

Në takim u bisedua për intensifikimin e bashkëpunimit me ShBA-të në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes, si dhe për zhvillimet e fundit në vend.

Presidentja Osmani e njoftoi Grunder për prioritetet e presidentes në muajt në vijim, me ç’rast u diskutua për rëndësinë e vazhdimit të komunikimit të rregullt me SHBA-të, me qëllim të arritjes së objektivave të përbashkëta.

Në takim u diskutua edhe për zhvillimet më të fundit në sektorë të ndryshëm strategjik.

Me këtë rast, presidentja Osmani paralajmëroi edicionin e dytë të Forumit ndërkombëtar për Gratë, Paqen dhe Sigurinë, për të cilin vlerësoi lartë bashkëpunimin e ngushtë dhe mbështetjen nga SHBA-të dhe Zyra e Sekretarit Antony Blinken, në veçanti.