Osmani: Çdo marrëveshje paqeje nuk duhet të inkurajojë ambiciet imperialiste të Rusisë

Osmani: Çdo marrëveshje paqeje nuk duhet të inkurajojë ambiciet imperialiste të Rusisë

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e cila po qëndron për vizitë zyrtare në Finlandë, theksoi rëndësinë që çdo marrëveshje e ardhshme paqeje mes Ukrainës dhe Rusisë të mos e inkurajojë Moskën që të “ndjekë më tej ambiciet e saj imperialiste dhe territoriale ndaj vendeve të tjera”.

“Dhe, nuk po flas vetëm për këtë pjesë të Evropës — po flas edhe për Ballkanin Perëndimor, sepse ka pasur gjithmonë një qëllim tradicional dhe historik të Rusisë për të krijuar një efekt zinxhir”, tha Osmani të mërkurën, gjatë një konference të përbashkët për media me presidentin e Finlandës, Alexander Stubb, në Helsinki.

Osmani deklaroi se nëse i bëhen lëshime Rusisë, vetëm sepse është më e madhe dhe ka më shumë armë, “kjo është e rrezikshme për pjesën tjetër të botës dhe jo vetëm për kontinentin evropian”.

Ajo tha se beson se është shumë e rëndësishme që presidenti amerikan, Donald Trump, po i kushton vëmendje vuajtjes njerëzore.

“Kur kemi një qasje të përqendruar te njeriu, atëherë paqja është e mundur”, u shpreh Osmani, raporton Rel.

Presidentja e Kosovës argumentoi se objektivi i Kremlinit shkon përtej pushtimit territorial, duke synuar të minojë unitetin evropian dhe të diskreditojë sistemet me vlera të Bashkimit Evropian dhe Organizatës së Traktatit të Atlantikut Verior (NATO).