Osmani bisedon me O’Brien për sulmin në Zubin Potok
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka zhvilluar një bisedë me ndihmëssekretarin amerikan të Shtetit për Evropën dhe Euroazinë, James O’Brien, lidhur me sulmin e 29 nëntorit ndaj kanalit të ujit të Ibër-Lepencit në Zubin Potok.
Këshilltari politik i Osmanit, Bekim Kupina, tha për Radion Evropa e Lirë se Osmani përveç me O’Brien, ka zhvilluar biseda edhe me udhëheqës të tjerë ndërkombëtarë, përfshirë edhe me sekretarin e Jashtëm britanik, David Lammy.
“Ajo [Osmani] i ka falënderuar për reagimin dhe dënimin e sulmit ndaj infrastrukturës vitale në Ibër-Lepenc. Diskutimet u fokusuan në sulmin e fundit terrorist ndaj infrastrukturës vitale të Kosovës dhe implikimet e tij për stabilitetin e Kosovës dhe më gjerë”, tha Kupina.
Osmani, sikurse edhe udhëheqësit e tjerë në Kosovë e cilësojnë shpërthimin në Varragë të Zubin Potokut sulm terrorist ndaj infrastrukturës kritike të vendit.
Kosova e ka fajësuar Serbinë për sulmin, por Beogradi ka mohuar se është i përfshirë, duke thënë se është i gatshëm të bashkëpunojë për hetimin e këtij rasti.