Osmani: Bashkë me aleatët tanë do ta ndalim Serbinë
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani siguroi popullin e Kosovës se do ta ndalin çdo lloj kërcënimi që vjen nga Serbia.
“Grupet kriminale po vazhdojnë trajnimet e tyre dhe përgatitjet e tyre dhe riorganizimet e tyre brenda territorit të Serbisë, nuk thash që ata nuk po përgatiten të sulmojnë, thash që do t’i ndalim. Prandaj qytetarët duhet të jenë të qetë, jo pse Serbia nuk e synon të keqen, por sepse ne së bashku me aleatët tanë do t’i ndalim. Nuk do të lejojmë që ata ta rrezikojnë Kosovën dhe t’i rrezikojnë qytetarët e saj”, tha Osmani, në intervistë për RTV21.
Presidentja tha se nuk është duke u paralajmëruar luftë në Kosovë.
“Nuk është që ne po kontribuojmë për përshkallëzim. Është Serbia që po përgatitet vetëm për skenarë të këqij, sepse ata mendojnë se është në interes të tyre të destabilizohet gjithë rajoni. Kështu që është një detyrë e jona që të ngritet përgatitja për parandalimin e sulmeve të tilla, që shpeshherë të tregojmë se cila është situata në realitet në mënyrë që të gjithë ta rrisim nivelin e përgatitjeve përfshirë edhe partnerët që na ndihmojnë në këtë drejtim, pra është masë parandaluese”, tha Osmani, duke shtuar se paralajmërimet kanë për qëllim që të rrisin nivelin e gatishmërisë.
Sipas saj, situata në Ballkan u duket më e qetë. Ajo përmendi situatën para 24 shtatorit, kur i njoftonin ndërkombëtarët për atë që po planifikonte Serbia.