OSBE: Projektligji për KPM-në të mos ketë kufizime dhe ndikim të padrejtë në media
Misioni i Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) në Kosovë ka thënë të martën se Projektligji për Komisionin e Pavarur për Media (KPM), i cili synon rregullimin e mediave online, duhet ta shmangë çfarëdo kufizimi të papërshtatshëm të lirisë së shprehjes dhe çfarëdo ndikimi të padrejtë në përmbajtjen mediatike.
Në një përgjigje për Radion Evropa e Lirë, OSBE tha se e “mirëpret” synimin e Qeverisë për ndryshim dhe plotësimin e Ligjit për KPM-në në përputhje me direktivën e Bashkimit Evropian, për të siguruar “një kuadër më të zbatueshëm për mbrojtjen e konsumatorëve, promovimin e diversitetit kulturor dhe pluralizmin mediatik”.
Por, ajo e theksoi rëndësinë e nxitjes së një “mjedisi të favorshëm për vetërregullimin e mediave në internet, të bazuar në parimet e lirisë, përgjegjësisë dhe respektimit të të drejtave të njeriut dhe vlerave demokratike”.
Sipas OSBE-së, Projektligji do të synojë “artikulimin efektiv të standardeve dhe parimeve sipas së cilave do të nxirren aktet e nevojshme nënligjore. Gjithashtu, është me rëndësi të sigurohet ekuilibër midis rregullimit dhe vetërregullimit në këtë sektor”.
“Bashkërregullimi ndërmjet autoriteteve rregullative dhe akterëve mediatike do të mund ta ndihmonte dhe informonte procesin vendimmarrës dhe të sigurojë që qasja e përzgjedhur pasqyron nevojat dhe aspiratat e shoqërisë së Kosovës”, tha ajo.
Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës, Këshilli i Mediave të Shkruara të Kosovës, por edhe një grup i organizatave ndërkombëtare i kanë bërë thirrje Qeverisë së Kosovës që të heqë dorë nga ndryshimet në këtë ligj.