Orges Shehi e nis me barazim te Ballkani, Feronikeli 74 merr një pikë në Malishevë

Orges Shehi e nis me barazim te Ballkani, Feronikeli 74 merr një pikë në Malishevë

Dy përballjet e sotme në kuadër të javës së 16-të të Albi Mall Superligës së Kosovës në futboll përfunduan me barazime.

Trajneri i ri i Ballkanit, Orges Shehi, e nisi aventurën e tij te suharekasit me një barazim 1:1 ndaj Ferizajt, në ndeshjen e zhvilluar në stadiumin me bar sintetik në Ferizaj.

Ballkani e gjeti avantazhin në minutën e 24-t përmes golit të Walid Hamidit, por vendasit barazuan në minutën e 84-t me anë të Abdeen Abdul.

Ky është barazimi i katërt radhazi për Ballkanin, që ka grumbulluar 27 pikë dhe mban vendin e tretë, 10 pikë prapa lideres, Dritës, dhe dy pikë prapa Malishevës, që është në vendin e dytë.

Ndërkaq, Ferizaj, me këtë pikë, ngjitet në vendin e tetë me 17 pikë, falë goldallimit më të mirë se Dukagjini, që ka po ashtu 17 pikë dhe mban pozitën e nëntë. Llapi, gjithashtu me 17 pikë, ndodhet në vendin e shtatë.

Në përballjen tjetër, që u zhvillua në stadiumin “Liman Gegaj”, Malisheva dhe Feronikeli 74 ndanë pikët në një barazim pa gola. Rezultati është një hap prapa për Malishevën në garën për kreun e tabelës, derisa Feronikeli 74, me këtë barazim, arrin në kuotën e 7 pikëve dhe dëshmon se nuk është dorëzuar për t’iu shmangur rënies nga elita.

Java e 16-të përmbyllet të martën, kur Suhareka e pret Llapin.