Organizohen module trajnimi për stafin e UP-së
Qendra për Përsosmëri në Mësimdhënie në Universitetin e Prishtinës ka organizuar me sukses një sërë modulesh trajnuese për stafin e Universitetit të Prishtinës.
Pjesëmarrësit kanë shprehur mirënjohje të thellë për cilësinë e trajnimeve, atmosferën miqësore dhe gjithëpërfshirjen në diskutime e aktivitete.
Këtë vit, qendra ka ofruar mundësinë e përzgjedhjes së moduleve sipas nevojave individuale të pjesëmarrësve, gjë që është cilësuar si hap pozitiv dhe inovativ në përmbushjen e nevojave për zhvillim profesional të stafit.
Kjo përvojë pozitive më së miri ilustrohet nga komenti i njërit prej pjesëmarrësve, i cili komenton: “Ndarjen e trajnimeve sipas moduleve të ndryshme e cilësoj si gjë shumë pozitive si dhe shumë praktike. Si dhe ideja që trajnimet do të zhvillohen në baza mujore është e përsosur. Ju përgëzoj”.
Qendra për Përsosmëri në Mësimdhënie është e përkushtuar ta mbështesë stafin akademik për zhvillim profesional dhe ta përmirësojë vazhdimisht përvojën arsimore për studentët e universitetit.
QPM-ja do të vazhdojë ofrimin e moduleve trajnuese edhe gjatë kësaj jave dhe gjatë muajit qershor.